Ferit Hoxha në Kosovë/ Takime me Kurtin, Haxhiun dhe liderët e partive, ndalesë edhe në bazën e KFOR-it
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, po zhvillon këtë të diel një vizitë zyrtare në Kosovë, ku është pritur në takime me drejtues të institucioneve shtetërore.
Ai është takuar fillimisht me ushtruesen e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ndërsa më pas ka zhvilluar një takim edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Në vijim të vizitës, Hoxha pritet të takohet edhe me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
Agjenda e tij përfshin gjithashtu takime me përfaqësues të partive politike në Kosovë, mes tyre Bedri Hamza i PDK-së, Ardian Gjini i AAK-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, ministri shqiptar do të vizitojë edhe Bazën e KFOR-it, ku do të takohet me komandantin e misionit, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, si dhe me pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë të angazhuar në këtë mision.

