“Kush prek Kosovën, prek Shqipërinë”/ Mesazhi i Ferit Hoxhës nga Prishtina, Tirana rikonfirmon mbështetjen pa kushte për Kosovën
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, zhvilloi këtë të diel një vizitë zyrtare në Kosovë, ku u takua me drejtuesit më të lartë të institucioneve të vendit.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Hoxha u prit nga presidentja në detyrë Albulena Haxhiu, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
Pas takimit me Konjufcën, ministri shqiptar përcolli mesazhin se Shqipëria dhe Kosova do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë njëra-tjetrës në çdo sfidë.
Ai kujtoi edhe qëndrimin e kryeministrit Edi Rama, duke thënë se “kush prek Kosovën, prek Shqipërinë”.
Hoxha e cilësoi Kosovën si prioritet absolut të politikës së jashtme shqiptare dhe vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve në fusha të ndryshme. Në bisedimet mes dy delegacioneve u diskutua për integrimin evropian, sigurinë, bashkëpunimin ekonomik, projektet infrastrukturore dhe koordinimin diplomatik.
Nga ana e tij, Glauk Konjufca vlerësoi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë si vëllazërore dhe të qëndrueshme. Ai kërkoi mbështetjen e Tiranës në proceset integruese të Kosovës, veçanërisht në përpjekjet për anëtarësim në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Në fokus të takimeve ishte edhe forcimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, zhvillimi i projekteve të përbashkëta infrastrukturore, si hekurudha Durrës-Prishtinë, si dhe mbështetja për integrimin euroatlantik të Kosovës.
Vizita e ministrit Hoxha në Prishtinë vjen në një moment të rëndësishëm për rajonin dhe konfirmon angazhimin e dy vendeve për të thelluar bashkëpunimin politik, ekonomik dhe diplomatik.

