“OHRI”, Kurti hap kartat! Pranon marrëveshjen, akuzon Serbinë për bllokim dhe moszbatim
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaron se dialogu me Serbinë nuk ka dështuar, por ka ngecur për shkak të moszbatimit të marrëveshjeve nga Beogradi duke akuzuar Serbinë se ka refuzuar ta nënshkruajë dhe zbatojë atë. Në intervistën e tij, ai foli gjithashtu për kompaninë ajrore publike dhe raportet me kryeministrin Edi Rama.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, vlerëson se dialogu me Serbinë vazhdon të mbetet një proces i rëndësishëm, pavarësisht sfidave në zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
Në një intervistë televizive, Kurti deklaroi se Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit janë pranuar nga Kosova, ndërsa akuzoi Serbinë se ka refuzuar t’i nënshkruajë dhe zbatojë ato.
Albin Kurti: "Dialogu nuk ka vdekur. Ka rezultuar me marrëveshje. Problemi është që Serbia nuk e ka nënshkruar dhe nuk po e respekton. Unë e kam pranuar marrëveshjen, edhe pse nuk është e shkëlqyeshme, por është bazë e mirë për më tutje"
Kurti u ndal edhe te prioritetet ekonomike dhe infrastrukturore, duke përmendur zotimin e Lëvizjes Vetëvendosje për themelimin e një kompanie ajrore me kapital publik.
Sipas tij, rritja e vazhdueshme e numrit të udhëtarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe nevoja për lidhje më të forta me diasporën dhe tregjet ndërkombëtare e bëjnë të domosdoshëm zhvillimin e kapaciteteve vendore në aviacionin civil.
Projekti synon rritjen e konkurrencës në tregun ajror, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përgatitjen e specialistëve të rinj në sektorin e aviacionit.
Në intervistë, Kurti komentoi edhe marrëdhëniet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Ai tha se raportet mes tyre janë të mira, por pranoi se ekzistojnë dallime në qasjen ndaj Beogradit zyrtar.
Albin Kurti: "Marrëdhëniet me Edi Ramën i kemi të mira. Kjo nuk do të thotë që pajtohemi për të gjitha çështjet. Për qëndrimin karshi Beogradit zyrtar kemi ndjeshmëri tjetër dhe aty dallojmë."
Pavarësisht këtyre dallimeve, Kurti theksoi se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mbetet i rëndësishëm në funksion të interesave të përbashkëta kombëtare dhe zhvillimore.

