Po transportonin 5 kg kok*inë me një furgon me targa shqiptare, arrestohen 3 shqiptarë në Itali
Autoritetet italiane kanë arrestuar tre shqiptarë të moshës 22, 23 dhe 25 vjeç, pasi akuzohen për trafik në bashkëpunim të sasive të mëdha të lëndëve narkotike.
Operacioni u zhvillua pranë Crespellano-s, në fund të një hetimi të përqendruar mbi kontrollin e një furgoni me targa shqiptare që vinte nga Spanja. Mediat italiane shkruajnë se hetimi nisi nga një aktivitet informativ dhe investigativ për monitorimin e personave të dyshuar për trafik dhe shpërndarje droge.
Karabinierët organizuan një shërbim vëzhgimi dhe ndjekjeje të posaçme për të interceptuar një furgon me targa shqiptare, i cili sipas informacioneve të mbledhura, po transportonte një ngarkesë të madhe droge nga Spanja drejt provincës së Bolonjës.
Pas monitorimit në të gjithë rrjetin autostradal, efektivët identifikuan mjetin pranë daljeve të autostradës në Valsamoggia, e ndoqën dhe më pas e bllokuan në Crespellano.
Tre personat në bord, të cilët flisnin italisht me vështirësi, shfaqën menjëherë shenja nervozizmi gjatë kontrollit. Gjatë kontrollit të furgonit u gjetën pesë pako kokaine me peshë totale mbi 5 kilogramë. Sipas autoriteteve, droga pasi të shitej me pakicë, do të sillte rreth 500 mijë euro fitime.
Gjatë kontrollit ndaj tre të arrestuarve u gjetën edhe 6.430 euro cash, të ndara në kartëmonedha të prerjeve të ndryshme. Tre shqiptarët, të gjithë pa vendbanim të përhershëm në Itali, u arrestuan në flagrancë dhe dërguan në burg në pritje të seancës së vlerësimit të arrestit para gjyqtarit të hetimeve paraprake.

