BRITANI, EMIGRANTËT DO TË “SKANOHEN” NGA IA/ Teknologjia synon identifikimin e moshave të sakta në kufi
Britania planifikon të përdorë inteligjencën artificiale për verifikimin e moshës së azilkërkuesve në kufi. Ndërsa qeveria e konsideron sistemin efikas, organizatat e të drejtave të njeriut paralajmërojnë për rreziqe dhe gabime serioze.
Britania e Madhe do të përdorë teknologji të inteligjencës artificiale për të kontrolluar moshën e azilkërkuesve në kufi.
Sistemi i ri do të analizojë fotografitë e emigrantëve për të vlerësuar nëse një person është fëmijë apo i rritur.
Qeveria britanike thotë se kjo teknologji do të ndihmojë në identifikimin e të rriturve që pretendojnë se janë minorenë për të përfituar mbrojtje dhe trajtim më të favorshëm nga sistemi i azilit.
Sipas Home Office, shumë migrantë të rritur kanë përdorur deklarime të rreme për moshën, duke përfituar shërbime dhe mbështetje që janë të destinuara për fëmijët e pashoqëruar. Vetëm gjatë vitit të kaluar, mbi gjashtë mijë persona që pretendonin se ishin të mitur iu nënshtruan verifikimit të moshës dhe rreth 43 për qind rezultuan të rritur.
Teknologjia e re do të zhvillohet dhe testohet nga një kompani britanike e teknologjisë, ndërsa përdorimi i saj pritet të fillojë në vitin 2027 në qendrat kufitare të Doverit.
Autoritetet thonë se sistemi ka treguar rezultate premtuese gjatë testimeve fillestare dhe do të përdoret si mjet ndihmës për oficerët e emigracionit.
Aktualisht, verifikimi i moshës kryhet përmes dokumenteve, radiografive dhe skanimeve. Megjithatë, qeveria argumenton se inteligjenca artificiale është alternativa më ekonomike dhe më efikase për të përshpejtuar procesin.
Por organizatat për të drejtat e njeriut kanë reaguar ashpër ndaj këtij vendimi. Human Rights Ëatch e ka quajtur këtë teknologji të paprovuar dhe të rrezikshme për fëmijët vulnerabël.
Sipas tyre, ekziston rreziku që fëmijë të vërtetë të klasifikohen gabimisht si të rritur dhe të humbasin mbrojtjen ligjore që u takon.
