“FIP Platinum Albania”, Gala dhe Jensen në gjysmëfinale
Surprizat vijojnë në FIP Platinum Albania, ku David Gala dhe Enzo Jensen po konfirmohen si protagonistët e përmbysjeve spektakolare. Pasi eliminuan në 1/8-at kokat e serisë numër 2, Coki Nieto dhe Jon Sanz, dy talentet spanjolle siguruan edhe biletën për në gjysmëfinale.
Në çerekfinale, Gala dhe Jensen triumfuan ndaj çiftit numër 7 të turneut, Alex Ruiz dhe Juanlu Esbri, me rezultatin 4-6, 6-3, 6-4. Për të dytën ditë radhazi, dy lojtarët e rinj, të lindur në vitin 2006, humbën setin e parë, por reaguan duke fituar dy setet pasardhëse dhe duke vulosur një tjetër përmbysje të rëndësishme.
Në gjysmëfinalet e së nesërmes, Gala (numri 33 në renditjen FIP) dhe Jensen (numri 68) do të kenë përballë kokat e serisë numër 4, Martin Di Nenno dhe Jairo Bautista. Këta të fundit siguruan kualifikimin pas fitores 7-6, 7-5 ndaj çiftit Edu Alonso – Aimar Goñi, në ndeshjen e zhvilluar në fushën qendrore të Sheshit Skënderbej.
Ndërkohë, në turneun e femrave janë përcaktuar edhe dy çiftet e para gjysmëfinaliste nga pjesa e sipërme e tabelës. Kokat e serisë numër 1, Ale Salazar dhe Ale Alonso, fituan 6-3, 6-4 ndaj Marta Caparros dhe Julieta Bidahorria. Po ashtu, në gjysmëfinale avancuan edhe Aranzazu Osoro dhe Victoria Iglesias, kokat e serisë numër 4, pas suksesit 6-1, 6-4 kundër Carolina Orsi dhe Patty Llaguno.
Ndeshjet e sesionit të pasdites do të nisin në orën 17:00, me tre takime të programuara në fushën qendrore dhe një në fushën numër 2.
Hyrja për publikun do të jetë falas.

