Ardian Gjini zgjidhet kryetar i ri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës
Ardian Gjini është zgjedhur kryetar i ri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt. Ky vendim është marrë ditën e sotme në Kuvendin Zgjedhor të kësaj partie.
Gjatë fjalës së tij para delegatëve në Kuvendin Zgjedhor të AAK-së, Gjini është shprehur se AAK-ja është ndërtuar mbi parimet e besimit dhe bashkëpunimit mes njëri-tjetrit.
Gjini i cili është edhe kandidat për kryeministër nga AAK-ja, theksoi se beson fort se e gjithçka për të cilën u fol ditën e sotme në Kuvendin Zgjedhor të AAK-së është e arritshme.
“Vëllezër e motra, unë besoj fort se gjithçka për të cilën po flasim sot është e arritshme. Nuk jemi duke u nisur prej tokës, por prej një ndërtese të jashtëzakonshme që e kemi ndërtuar së bashku me ju, kryetar. Po nisemi prej besimit që e kemi për Kosovën, prej bindjeve që i kemi ndërtuar me qindra e mijëra njerëz në Kosovë. Nuk jemi duke u nisur prej zeros dhe kjo na jep forcë: ne mundemi, Aleanca mundet, Kosova mundet. Kosova ka njerëz, Aleanca ka njerëz”, tha ai.
Kujtojmë që Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga udhëheqja e AAK-së në shkurt të këtij viti.