Dr*ga e fshehur në këpucë çon në zbulimin e rrjetit kriminal në Greqi/ Sekuestrohen sasi të mëdha heroine

Policia greke ka goditur një grup të trafikut të drogës që vepronte në zonën e Athinës dhe dyshohet se drejtohej nga një i burgosur.

Hetimet nisën pasi autoritetet zbuluan një dërgesë të dyshimtë me këpucë, brenda të cilave ishte fshehur kokainë.

Gjatë kontrollit, u arrestua një 71-vjeçar në një stacion autobusi në Athinë, i cili po dorëzonte pakon me rreth 20 gramë kokainë.

Më pas, hetimet çuan në identifikimin e një 58-vjeçari, i dyshuar si furnizues i drogës për llogari të një personi që ndodhet në burg. Në kuadër të operacionit u arrestua edhe një 52-vjeçare, e dyshuar për ndihmë në ruajtjen dhe përpunimin e lëndëve narkotike.

Policia sekuestroi sasi të mëdha droge, përfshirë mbi 10 kilogramë heroinë, 2.2 kilogramë kokainë, si dhe sasi më të vogla kanabisi dhe ekstazie. Gjithashtu u gjetën edhe para në valuta të ndryshme nga disa vende të botës.

Sipas autoriteteve greke, vlera e përgjithshme e drogës dhe parave të sekuestruara arrin rreth 340 mijë euro.