“Ekipet Sportive në Shkolla”, Kumbaro: Ulim moshën e nxënësve pjesëmarrës, zgjerojmë disiplinat

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, së bashku me presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, ndoqën nga afër finalet e kampionatit kombëtar të edicionin të katërt të “Ekipeve Sportive në Shkolla”, ku ekipet e vajzave dhe djemve në basketboll dhe volejboll sollën entuziazëm, talent dhe frymë gare.

“Gara është e bukur, sepse ju keni kaluar shumë ndeshje në shkollë, në bashki dhe me shkolla të tjera derisa mbërritët këtu. Vetë fakti që jeni finalistë është një arritje e madhe, por në të vërtetë fituese janë të gjitha shkollat dhe ekipet tona fantastike”, u shpreh Kumbaro.

Për herë të parë këtë vit, programit iu shtua edhe disiplina e shahut, me pjesëmarrjen e mbi 650 nxënësve. Ministrja bëri të ditur se në edicionin e pestë do të ulet mosha e fëmijëve pjesëmarrës dhe do të shtohen edhe disiplina të tjera sportive.

“Bashkë me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar do të rrisim numrin e nxënësve pjesëmarrës dhe do të ulim moshën e tyre, me qëllim që sporti dhe aktiviteti fizik të nisin që në moshë sa më të hershme”, tha Kumbaro.

Në edicionin e katërt të “Ekipeve Sportive në Shkolla” morën pjesë mbi 10 mijë nxënës nga e gjithë Shqipëria, të organizuar në ekipe sportive për vajza dhe djem në volejboll dhe basketboll.

Ky program kombëtar, i mbështetur nga qeveria shqiptare dhe i shtrirë në 57 bashki të 12 qarqet e vendit, synon promovimin e aktivitetit fizik, jetës së shëndetshme, frymës së sportive në shkolla dhe socializimit mes të rinjve përmes sportit.

Në vitet e fundit, Ministria e Arsimit ka rritur investimet në palestra, terrene sportive dhe ambiente të dedikuara për zhvillimin e sportit në shkolla, duke krijuar më shumë mundësi për aktivizimin e nxënësve.