FSHF “fshesë” në kampionatet e moshave/ Gjoba, pezullime dhe përjashtime për klube e lojtarë
Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka marrë një sërë vendimesh ndaj klubeve, lojtarëve dhe zyrtarëve të ndryshëm për shkelje gjatë ndeshjeve në kampionatet zinxhir.
AF Elbasani është gjobitur me 100 mijë lekë për sjelljen e tifozëve, të cilët kanë hedhur sende në fushë dhe kanë përdorur kore fyese ndaj lojtarëve kundërshtarë.
Dy ekipe të moshave janë penalizuar për braktisje ndeshjesh.
FC Besa U-19 dhe AF Luftëtari U-17 kanë humbur ndeshjet në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe janë gjobitur me nga 100 mijë lekë. Për AF Luftëtari U-17 është marrë edhe një masë më e rëndë, duke u përjashtuar nga aktiviteti për sezonin 2025–2026, me zbritje në një kategori më të ulët dhe penalizim me 6 pikë në sezonin pasardhës.
Turbina U-16 është dënuar gjithashtu me humbje në tavolinë dhe gjobë për braktisje të ndeshjes ndaj Kinostudios U-16.
Në kategoritë e moshave të tjera, disa zyrtarë dhe lojtarë janë pezulluar për sjellje josportive dhe dhunë në fushë. Ndër ta, zyrtarë të Besa U-15 dhe Laçi U-14 janë pezulluar me nga 4 ndeshje, ndërsa disa lojtarë të Kinostudios, Atletik Klub dhe ekipeve të tjera janë ndëshkuar me pezullime nga 3 deri në 5 ndeshje.
Gjithashtu, disa ekipe të zonës së Gjirokastrës në kategoritë U-11 janë penalizuar për braktisje ndeshjesh me humbje në tavolinë dhe gjoba financiare.
Komisioni ka shqyrtuar edhe kërkesa për ulje dënimesh, ku një rast është pranuar me kusht, ndërsa një tjetër kërkesë është rrëzuar si e pabazuar.
Vendimet janë të ankimueshme brenda tre ditëve në Komisionin e Apelit.

