“RIKTHEHET” GROENLANDA/ I dërguari i Trump zhvillon një vizitë në territorin arktik

Vizita e të dërguarit amerikan Jeff Landry në Groenlandë  ka rikthyer në qendër të vëmendjes debatin mbi përkatësinë e ishullit. Ai deklaroi se është moment që SHBA të rikthejë gjurmët e saj atje, ndërsa kundërpërgjigja ishte e menjëhershme.

Groenlanda është rikthyer sërish në qendër të debatit mes SHBA-së dhe Danimarkës, pasi i dërguari amerikan Jeff Landry deklaroi gjatë vizitës së tij në ishull se ka ardhur koha që SHBA të rikthejë gjurmën e saj atje.

Presidenti amerikan Donald Trump ka këmbëngulur prej kohësh se Groenlanda ka rëndësi strategjike për sigurinë kombëtare të Amerikës.

Sipas tij, territori arktik mund të bëhet objekt ndikimi nga Rusia apo Kina nëse SHBA nuk forcon praninë e saj.

Groenlanda ndodhet në një pozicion kyç ushtarak, pasi është rruga më e shkurtër për raketat mes Rusisë dhe Amerikës.

Përveç kësaj, ishulli besohet se ka rezerva të mëdha mineralesh të rralla dhe rëndësia e tij po rritet me hapjen e rrugëve të reja detare për shkak të shkrirjes së akujve polarë.

Landry tha se SHBA synon të rrisë operacionet ushtarake në rajon dhe të rikthejë disa baza që ishin aktive gjatë Luftës së Ftohtë.

Dikur amerikanët kishin 17 baza ushtarake në Groenlandë, ndërsa sot funksionon vetëm baza Pituffik në veri të ishullit.

Raportet mediatike flasin edhe për plane për hapjen e tre bazave të reja në jug.

Vizita e Landry në kryeqytetin Nuuk ka shkaktuar reagime të ashpra.

Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, tha se bisedimet me amerikanët ishin “konstruktive”, por theksoi se nuk ka asnjë shenjë që SHBA ka ndryshuar qëndrim ndaj territorit.

Zyrtarët e Groenlandës dhe Danimarkës kanë përsëritur se vetëm populli duhet të vendosë për të ardhmen e tij. Megjithatë, Landry mbështeti publikisht idenë e pavarësisë ekonomike të ishullit, duke thënë se Groenlandë ka potencial të kalojë nga varësia në pavarësi.

Debat shkaktoi edhe prania e një mjeku amerikan në delegacion, i cili deklaroi se po vlerësonte nevojat shëndetësore të banorëve vendas.

Ministrja e Shëndetësisë u kundërpërgjigj duke thënë se Groenlandëezët nuk janë kavie të projekteve gjeopolitike.