Zelensky publikon video, Ukraina godet selinë e FSB-së dhe raporton rreth 100 humbje ruse

Forcat speciale të Ukrainës kanë goditur një objekt të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB) në zonën e pushtuar të rajonit Kherson, sipas njoftimeve të autoriteteve ukrainase.

Gjatë operacionit, është shkatërruar edhe një sistem rus i mbrojtjes ajrore Pantsir-S1.

Sipas palës ukrainase, aksioni është kryer nga njësitë speciale të Qendrës A të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SSU).

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky publikoi një video të operacionit në platformën X, ku tha se sulmi ka shkaktuar humbje të mëdha për forcat ruse, me rreth 100 të vrarë dhe të plagosur.

Autoritetet ukrainase e cilësojnë këtë si një nga operacionet më të rëndësishme të fundit në territorin e pushtuar, ndërsa Rusia nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar për ngjarjen.