Putin dhe Lukashenko në videokonferencë/ Rusia dhe Bjellorusia zhvillojnë stërvitje bërthamore të përbashkëta
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin dhe presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko kanë zhvilluar një videokonferencë ku kanë folur për stërvitjet e përbashkëta bërthamore mes dy vendeve.
Sipas deklarimeve nga pala ruse, ushtrimet po zhvillohen në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ushtarak dhe përfshijnë përgatitje për përdorimin e raketave balistike dhe raketave të lundrimit.
Putin tha se në kushtet e tensioneve ndërkombëtare, bashkëpunimi bërthamor mes Rusisë dhe Bjellorusisë shihet si një garanci për sigurinë dhe sovranitetin e dy vendeve, si dhe për ruajtjen e ekuilibrit strategjik.
Ai shtoi se përdorimi i armëve bërthamore konsiderohet vetëm si një masë ekstreme për situata të rënda sigurie dhe se Rusia nuk është në garë armatimesh, por po ndjek një plan të paracaktuar për zhvillimin e forcave të saj.
Autoritetet ruse bëjnë të ditur se stërvitjet po zhvillohen në periudhën 19–21 maj dhe përfshijnë koordinimin e përdorimit të armëve bërthamore të vendosura edhe në territorin e Bjellorusisë. Ndërkohë, në Bjellorusi trajnimet për përdorimin e këtyre armëve kanë nisur më herët, më 18 maj.

