SHBA dhe Rusia në Pekin/ Gazetari kinez: Kina po kthehet në pikë kyçe të dialogut ndërkombëtar
Në një lidhje direkte për Ora News, gazetari kinez Burim Li komentoi takimet e fundit të zhvilluara në Pekin me dy nga liderët më të rëndësishëm botërorë, presidentin amerikan Donald Trump dhe presidentin rus Vladimir Putin.
Ai tha se Kina po shfaqet gjithnjë e më shumë si një qendër ku zhvillohet dialogu mes fuqive të mëdha, duke pritur brenda një kohe të shkurtër dy vizita me peshë të madhe në arenën ndërkombëtare.
Sipas tij, takimi me palën amerikane ishte i fokusuar te stabilizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat mbeten të ndërlikuara për shkak të lidhjeve ekonomike, tregtare dhe teknologjike.
“Kina është sot një pikë ku aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë kërkojnë dialog, komunikim dhe stabilitet. Marrëdhëniet me SHBA janë shumë të rëndësishme dhe të ndërlikuara, ndaj palët duhet të flasin dhe të mos lejojnë që konkurrenca të kthehet në përplasje.”-tha ai.
Ai shtoi se mesazhi kryesor ishte nevoja për komunikim dhe menaxhim të dallimeve, për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve.
Ndërsa për takimin me Rusinë, ai tha se atmosfera ishte më e qetë dhe e orientuar drejt bashkëpunimit, duke u bazuar në marrëdhënie të konsoliduara dhe bashkërendim strategjik mes dy vendeve.
“Me Rusinë, marrëdhënia është më shumë në drejtim të bashkëpunimit dhe thellimit të një partneriteti ekzistues. Ka një nivel të lartë besimi dhe bashkërendimi strategjik mes dy vendeve.”-shtoi Li.
