ALLEGRI MES MILANIT DHE NAPOLIT/ Kualifikimi në Champions mund të përcaktojë të ardhmen e trajnerit
Massimiliano Allegri pritet të vendosë për të ardhmen pas përfundimit të sezonit në Serie A. Milani kërkon vazhdimin e projektit me trajnerin italian, ndërsa Napoli mbetet i interesuar për ta afruar në stol.
Massimiliano Allegri ndodhet përballë një vendimi të rëndësishëm për të ardhmen e tij te Milani, ndërsa gjithçka pritet të varet nga kualifikimi i skuadrës në Champions League dhe projekti që do t’i paraqesë pronari Gerry Cardinale për sezonet e ardhshme.
Sipas mediave italiane, trajneri toskan do t’i japë përparësi vazhdimit të aventurës me kuqezinjtë, me të cilët firmosi vitin e kaluar një kontratë deri në vitin 2027. Megjithatë, vazhdimi i bashkëpunimit kushtëzohet nga sigurimi i vendit të tretë ose të katërt në Serie A, që garanton pjesëmarrjen në Champions League.
Pas përfundimit të sezonit, Allegri dhe Cardinale pritet të zhvillojnë një takim për të diskutuar të ardhmen e projektit sportiv. Sipas raportimeve, pronari i RedBird dëshiron ta mbajë trajnerin në stol dhe është gati t’i ofrojë rinovim deri në vitin 2028, së bashku me një rritje page dhe premtimin për një merkato të ndërtuar sipas kërkesave të teknikut.
Allegri kërkon që Milani të bëjë investime të rëndësishme për të synuar titullin kampion në sezonin e ardhshëm. Trajneri italian raportohet se kërkon afrimin e lojtarëve me eksperiencë dhe mentalitet fitues për të rritur nivelin konkurrues të skuadrës.
Ndërkohë, situata po ndiqet me vëmendje edhe nga Napoli. Presidenti Aurelio De Laurentiis vazhdon ta vlerësojë Allegri-n si një nga kandidatët kryesorë për të zëvendësuar Antonio Conte-n, i cili pritet të largohet në fund të sezonit.
Mediat italiane kujtojnë se De Laurentiis kishte tentuar të afronte Allegri-n edhe një vit më parë, kur Conte ishte pranë largimit nga Napoli, por marrëveshja nuk u konkretizua. Tashmë skenari mund të rikthehet sërish në tavolinë.
Napoli po vlerëson edhe profilin e Maurizio Sarri-t, por interesimi i Atalantës për ish-trajnerin e Lazios mund të shtyjë klubin napolitan të fokusohet te Allegri.
E ardhmja e trajnerit italian pritet të sqarohet vetëm pas takimit me drejtuesit e Milanit dhe përfundimit të garës për një vend në Champions League.
