SHORTI “NDAN” SINNER DHE DJOKOVIÇ/ Tenistët mund të përballen në finalen e “Roland Garros’’

Shorti ka shmangur përballjen e Jannik Sinner dhe Novak Djokovic deri në finalen e “Roland Garros 2026”. Italiani dhe tenisti serb kanë rënë në skuadra kundërshtare, ndërsa emocionet e turneut nisin të dielën!

Në Paris u hodh shorti i Roland Garros 2026, turneu kryesor I tenisit, ku vëmendjen kryesore e mori numri një i botës, Jannik Sinner. Italiani do ta nisë aventurën e tij në grand slam-in francez përballë vendasit Clement Tabur, aktualisht i renditur në vendin e 165-të në botë.

Sinner është pozicionuar në çerekun e parë të tabelës dhe në raundin e katërt mund të përballet me amerikanin Ben Shelton. Më tej, në një gjysmëfinale të mundshme, ai mund të ketë përballë ose francezin Felix Auger-Aliassime, ose rusin Daniil Medvedev.

Në anën tjetër të shortit ndodhet Novak Djokovic, duke shmangur kështu një përballje të mundshme me Sinner deri në finale. Serbi, fitues tri herë i Roland Garros, do ta nisë turneun ndaj francezit Giovanni Mpetshi Perricard dhe synon të fitojë trofeun e tij të 25-të Grand Slam në karrierë.

Djokovic mund të ketë një duel interesant në raundin e tretë me talentin brazilian Joao Fonseca. Në të njëjtën gjysmë të tabelës me Djokovic ndodhet edhe gjermani Alexander Zverev, finalisti i vitit 2024, i cili e nis kompeticionin kundër francezit Benjamin Bonzi.

Për Sinner kjo do të jetë pjesëmarrja e shtatë në karrierë në Roland Garros. Italiani rikthehet në Paris pas finales dramatike të vitit 2025, ku u mposht nga Carlos Alcaraz.

në 2024, Sinner u ndal në gjysmëfinale po nga Alcaraz, por ai rezultat i siguroi ngjitjen në vendin e parë të renditjes botërore, duke u bërë italiani i parë në histori që arrin këtë sukses në epokën moderne të tenisit.