PAMJE/ Etapa III e Rrethit të 83-të Çiklistik të Shqipërisë, fitues zvicerani Guillaume Haldimann! Sot Etapa IV, ja itinerari
Ka përfunduar të mërkurën etapa e tretë e Rrethit të 83-të Çiklistik të Shqipërisë, me itinerarin Elbasan-Vlorë me gjatësi 149 kilometra dhe me një shpejtësi mesatare prej 48,3 km/h.
Kjo etapë ka qenë mjaft e luftuar, pasi grupi i parë i cili mbërriti në vijën e finishit ishte i përbërë prej 5 çiklistësh, por fati i buzëqeshi çiklistit Guillaume Halidman i ekipit zviceran Humard VP, i cili e mbylli këtë etapë me kohën 3:04:55.
Kjo fitore e sotme, i dha mundësinë çiklistit zviceran të marrë edhe fanellën e verdhë të liderit të Rrethit çiklistik pasi ai kryeson me kohën e përgjithshme 10:03:58.
Fanella e sprinteve të fushës mbahet nga çiklisti turk Tahir Bugra Yigit, ndërsa fanella e malit mbahet nga Timotej Bavec i ekipit slloven Regional Rimbo Alpine Resort, ndërsa fanella e bardhë e klasifikimit U-23 mbahet nga sllovaku Likas Panacek i ekipit Dukla Banka Bystrica.
Klasifikimi ekipor tashmë kryhesohet nga ekipi holandez Wielerploeg Groot Amsterdam me kohën e përgjithshme 30:12:51.
Etapa e parë e Rrethit të 83-të Çiklistik, ajo Tiranë-Lezhë me gjatesi 177,3 kilometra, u fitua nga çiklisti i ekipit të B-Close-Bal-Enzo Kjell Cooman, i cili e mbylli etapën me kohën 3:52:41 dhe me shpejtësi mesatare 45,7 km/h.
Etapa e dytë, Lezhë-Elbasan, me gjatësi 149,9 kilometra, e fitoi çiklisti Samuel Fedor i ekipit Ducla Bansca Bystica me kohen 3:06:26 me shpejtesi mesatare 48,2 km/h.
Sot zhvillohet Etapa IV e turneut. Në orën 12 kjo etapë nis me itinerar Vlorë-Tuneli i Llogorasë-Himarë-Kuç-Lepincë-Kotë-finishi në Vlorë.
Ndërsa nesër, datë 22 maj është edhe etapa e fundit e turit, me initerar: Vlorë-Rrethrrotullimi i Lushnjës-Fier.

