Konflikti në Lindjen e Mesme, Hegseth: SHBA, gati për veprim kundër Teheranit
Gati dy muaj pas nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, negociatat diplomatike vazhdojnë të mbeten në ngërç, ndërsa tensionet në rajon mbeten të larta dhe përplasjet mund të rifillojnë në çdo moment.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë “gati për veprim”, duke theksuar se Uashingtoni po pret zhvillimet e bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit, të mbështetura nga puna e ndërmjetësve ndërkombëtarë.
“Nuk duam të ndjekim atë rrugë, por presidenti është i gatshëm dhe i aftë ta bëjë këtë nëse do të jetë e nevojshme”, u shpreh ai.
Ndërkohë, raportet mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu mbeten të tensionuara. Sipas mediave amerikane, dy liderët kanë zhvilluar një bisedë të gjatë dhe “dramatike”, megjithatë Trump minimizoi situatën duke deklaruar se Netanyahu “do të bëjë atë që dua unë”.
Pavarësisht tensioneve me disa vende europiane për mungesën e mbështetjes në luftën kundër regjimit iranian, presidenti amerikan pritet të marrë pjesë në samitin e G7 që do të mbahet në Francë gjatë muajit qershor, sipas raportimeve të medias Axios.
Sipas të njëjtit burim, Trump i ka bërë të ditur Netanyahut se ndërmjetësit po punojnë për hartimin e një “letre synimesh” që synon t’i japë fund luftës dhe të hapë rrugën për një marrëveshje diplomatike.
