Rutte: Tërheqja e trupave amerikane nga Evropa nuk do ta dëmtojë mbrojtjen

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha sot se vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të tërhequr 5 000 trupa nga Europa nuk do të ndikojë negativisht në aftësitë mbrojtëse të aleancës, ndërsa Uashingtoni pritet gjithashtu të reduktojë forcat që vë në dispozicion të NATO-s.

“Sa i përket këtij njoftimi, bëhet fjalë për 4 000 deri në 5 000 trupa me rotacion dhe kjo nuk ka ndikim në planet mbrojtëse të NATO-s”, u tha Rutte gazetarëve.

Uashingtoni njoftoi këtë muaj se do të tërhiqte 5 000 trupa nga Gjermania pas një përplasjeje mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz lidhur me luftën në Iran.

Mënyra e papritur e vendimit dhe paqartësitë që pasuan mbi faktin nëse reduktimi i forcave do të prekte Gjermaninë apo Poland kanë shkaktuar shqetësim në Evropë.

Megjithatë, administrata Trump kishte paralajmëruar prej kohësh vendet evropiane se SHBA-ja synonte të zhvendoste një pjesë të forcave të saj, duke u përqendruar te kërcënime të tjera në botë.

“Ne e dimë se do të ketë rregullime. SHBA-ja duhet të përqendrohet më shumë, për shembull, drejt Azisë”, tha Rutte.

“Kjo do të ndodhë gradualisht dhe në mënyrë të strukturuar”, shtoi ai.

Presidenti Trump ka kritikuar vazhdimisht Europën për reagimin ndaj luftës së tij me Iranin dhe ka kërcënuar në mënyrë të përsëritur se mund të konsiderojë largimin e SHBA-së nga NATO.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes njofto dje se po ul numrin e brigadave amerikane të dislokuara në Europë nga katër në tre, duke e rikthyer praninë ushtarake në nivelet e vitit 2021.

Ndërkohë, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi se dislokimi i 4 000 trupave në Poloni është shtyrë dhe jo anuluar.

Vendet evropiane anëtare të NATO-s pritet të kërkojnë sqarime nga sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio gjatë një takimi në Suedi këtë javë.

Ato gjithashtu do të përpiqen të zbusin tensionet përpara samitit të liderëve të NATO-s që do të mbahet në Turqi në korrik.