URDHËR-ARREST PËR MINISTRIN IZRAELIT/ Bezalel Smotrich: E ka lëshur Gjykata Penale Ndërkombëtare

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, ka deklaruar se prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, ka kërkuar fshehurazi një urdhër-arrest ndërkombëtar ndaj tij. Ministri paralajmëroi kundërmasa të forta ndaj Autoritetit Palestinez, teksa konfirmoi gjithashtu urdhrin për evakuimin e një fshati beduin në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Një tjetër përplasje e fortë politike dhe juridike ka shpërthyer mes Izraelit dhe Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, deklaroi publikisht se prokurori i kësaj Gjykate ka kërkuar në mënyrë konfidenciale një urdhër-arrest ndërkombëtar ndaj tij.

Smotrich nuk dha prova konkrete mbi burimin e informacionit, por akuzoi Autoritetin Palestinez për mbështetje të procedurave ndërkombëtare kundër Izraelit lidhur me luftën në Gaza.

Në të njëjtën deklaratë, ministri izraelit konfirmoi se kishte urdhëruar evakuimin e fshatit beduin Khan al-Ahmar në Bregun Perëndimor, një zonë që prej vitesh është kthyer në simbol të tensioneve mes Izraelit dhe palestinezëve.

Nga ana tjetër, zyra e prokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare refuzoi të komentojë, duke theksuar se procedurat dhe hetimet e gjykatës janë konfidenciale.

Reagime të forta erdhën edhe nga pala palestineze. Zyrtari i lartë palestinez, Ëasel Abu Youssef, e cilësoi evakuimin e Khan al-Ahmar si “shumë të rrezikshëm” dhe kërkoi ndërhyrje ndërkombëtare për të ndalur krime të mëtejshme.

Smotrich nga ana e tij e quajti Gjykatën Penale Ndërkombëtare “antisemite”, duke deklaruar se Izraeli nuk do të pranojë diktate hipokrite nga institucione të njëanshme.

Izraeli nuk është anëtar i Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe nuk e njeh juridiksionin e saj, por gjykata ka juridiksion mbi territoret palestineze që prej vitit 2015.

Në nëntor të vitit 2024, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant dhe liderit të Hamasit Ibrahim al-Masri për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit në Gaza.