Shëndet më i fortë dhe më pak sëmundje/ Këto janë metodat e provuara për ta forcuar dhe mbrojtur organizmin
Sistemi imunitar është mbrojtja natyrale e trupit ndaj viruseve, baktereve dhe toksinave.
Ai përbëhet nga qeliza, inde dhe organe që punojnë së bashku për të mbajtur trupin të shëndetshëm dhe për të luftuar infeksionet.
Nutricionistët shpjegojnë se mënyra e jetesës ka ndikim të madh në forcimin ose dobësimin e tij.
Faktorë si ushqimi, gjumi dhe aktiviteti fizik mund të ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e sistemit imunitar.
Sipas këshillave të ekspertëve, disa mënyra të thjeshta mund të ndihmojnë në forcimin e imunitetit:
Një dietë e pasur me fibra nga frutat, perimet, arrat dhe drithërat ndihmon në shëndetin e zorrëve dhe ul inflamacionin në trup. Gjithashtu, ushqimi i balancuar ndihmon organizmin të reagojë më mirë ndaj sëmundjeve.
Probiotikët, që gjenden në disa ushqime dhe suplemente, ndihmojnë në ruajtjen e ekuilibrit të baktereve të mira në zorrë dhe përmirësojnë reagimin mbrojtës të trupit ndaj infeksioneve.
Një tjetër faktor është kufizimi i konsumit të sheqerit të përpunuar, i cili në sasi të larta mund të dëmtojë florën e zorrëve dhe të dobësojë mbrojtjen e trupit.
Aktiviteti fizik i moderuar ndihmon në qarkullimin më të mirë të qelizave imune dhe ul rrezikun e infeksioneve të zakonshme si ftohja.
Ekspertët theksojnë gjithashtu rëndësinë e një diete të larmishme dhe konsumit të mjaftueshëm të ujit, që ndihmon trupin të largojë toksinat dhe të mbajë sistemin imunitar në formë të mirë.

