Thellohet tragjedia/ Po kërkonte trupat e italianëve të mbytur, zhytësi i ekipit të shpëtimit humb jetën në shpellat nënujore të Maldiveve

Një zhytës i ekipeve të shpëtimit ka humbur jetën gjatë operacionit për gjetjen e trupave të katër italianëve që vdiqën në një aksident tragjik zhytjeje në Maldives.

Sipas autoriteteve lokale, efektivi Mohamed Mahdhee u dërgua në spital në gjendje kritike, por më pas nuk arriti t’u mbijetonte plagëve. Ai po merrte pjesë në operacionin e kërkimit në zonën e Vaavu Atoll.

Pesë shtetas italianë humbën jetën teksa po përpiqeshin të eksploronin shpellat nënujore në një thellësi rreth 50 metrash. Deri tani besohet se është gjetur vetëm një trup, në një shpellë rreth 60 metra nën ujë.

Ngjarja konsiderohet si aksidenti më i rëndë i këtij lloji në historinë e Maldiveve, destinacion i njohur turistik në Oqeanin Indian.

Presidenti i Maldiveve, Mohamed Muizzu, udhëtoi të shtunën drejt zonës së operacionit për të ndjekur nga afër kërkimet.

Sipas zëdhënësit të qeverisë, tetë zhytës shpëtimi hynë në ujë gjatë operacionit. Pasi dolën në sipërfaqe, ata kuptuan se Mahdhee mungonte. Koleget u rikthyen menjëherë në ujë dhe e gjetën pa ndjenja.

Autoritetet ushtarake të Maldiveve e kanë cilësuar operacionin si tepër të rrezikshëm, për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe detit të trazuar.

Mes viktimave italiane ndodheshin profesorja e ekologjisë, Monica Montefalcone, vajza e saj, Giorgia Sommacal, dy studiues të Universitit të Gjenovës, si edhe një instruktor zhytjeje dhe menaxher operacionesh detare.

Sipas medieve lokale, grupi hyri në ujë të enjten në mëngjes, por u raportua i zhdukur pasi nuk u rikthye në sipërfaqe. Policia bëri të ditur se moti në zonë ishte shumë i keq dhe ishte lëshuar paralajmërim i verdhë për anijet e pasagjerëve dhe peshkatarët.

Autoritetet po hetojnë gjithashtu arsyen pse zhytësit hynë në një shpellë rreth 60 metra nën ujë, ndërkohë që zhytjet rekreative lejohen vetëm deri në thellësinë 30 metra.

Ministria e Jashtme e Italisë konfirmoi se 20 shtetas të tjerë italianë që ndodheshin në jahtin “Duke of York”, prej nga ishte nisur grupi, janë shëndoshë e mirë dhe po marrin asistencë nga ambasada italiane në Colombo.

Thellohet tragjedia/ Po kërkonte trupat e italianëve të mbytur,