FOTO/ Shuhet Lazare, qeni që besohet se jetoi më gjatë në botë
Lazare, një qen i racës Papillon, i njohur në rrjetet sociale si “Lazare tridhjetëvjeçari”, ka ndërruar jetë në moshën 30 vjeç e 5 muaj, duke u konsideruar si qeni që ka jetuar më gjatë në botë, megjithëse ende nuk ka një njohje zyrtare nga Guinness World Records.
Sipas mediave franceze, Guinness është kontaktuar për rastin e tij, ndërsa historia e Lazare kishte tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, përfshirë edhe “New York Post”.
Qeni ndërroi jetë në spitalin veterinar të Allonzier-la-Caille, në Haute-Savoie të Francës, në krahët e pronarës së tij të fundit, Ophélie Boudol, 29 vjeç.

“Jo domosdoshmërisht qeni më i bukur që kisha parë ndonjëherë, por pati menjëherë një lidhje mes nesh. Nuk doja që ta mbyllte jetën në një strehë, kishte nevojë për dashuri”, tha ajo për “Le Parisien”.
Ophélie e kishte adoptuar Lazare më 18 prill nga streha SPA Annecy Marlioz, ku ai ishte dërguar pas vdekjes së pronares së tij të parë.
Punonjësit e strehës vendosën të verifikonin moshën e qenit të vogël me qime të bardha e kafe, veshë të mëdhenj dhe gjuhën gjithmonë paksa jashtë gojës, duke zbuluar se ai kishte arritur një moshë të jashtëzakonshme për një qen.

