“NAN” GATI TË NDEZ EUROVISIONIT/ Sot, finalja e Eurovision-it, Alis performon i pesti
Në mbrëmje Shqipëria rikthehet në skenën e madhe të Eurovisionit. Këngëtari Alis Kallaçi do të performojë i pesti në finalen e madhe në Vjenë me këngën “Nân”, ndërsa pritshmëritë për një rezultat të lartë janë rritur ndjeshëm pas performancës në gjysmëfinale.
Sonte zhvillohet finalja e madhe e Eurovision 2026 në Austri, ku Shqipëria do të përfaqësohet nga Alis Kallaçi me këngën “Nân”.
Mes 25 shteteve konkurruese për trofeun e lakmuar, Shqipëria do të ngjitet në skenë e pesta në radhë.
Pas një performance që u vlerësua gjerësisht në gjysmëfinale, artisti shqiptar rikthehet në skenë me synimin për një rezultat sa më të lartë në garën europiane të muzikës.
Performanca e tij ka tërhequr vëmendjen për kombinimin e vokalit të fuqishëm, emocioneve dhe elementëve artistikë skenikë.
Një nga momentet më të komentuara ishte prania e aktores Rajmonda Bulku në skenë, duke i dhënë performancës një dimension emocional dhe simbolik kushtuar figurës së nënës shqiptare.
Në orët e fundit, kënga “Nân” është renditur mes performancave më të klikuara të këtij edicioni, duke rritur optimizmin tek publiku shqiptar dhe diaspora.
Sipas rregullores së Eurovisionit, shqiptarët që jetojnë jashtë vendit mund të votojnë për Shqipërinë me kodin 05 përmes telefonit, SMS-ve ose platformës zyrtare online të festivalit, cdo shqiptarë mund të votoj nga 10 herë nga i njejti numër.
Finalja e madhe pritet të ndiqet nga miliona teleshikues në gjithë Europën, ndërsa Shqipëria synon të shënojë një nga rezultatet më të mira të viteve të fundit në Eurovision.
