Cardinale kritikon futbollin italian dhe thumbon Interin: Nuk mjafton të shkosh në finale e të humbasësh 5-0!
Pronari i Milanit, Gerry Cardinale, ka folur hapur për momentin e vështirë që po kalojnë kuqezinjtë, por edhe për problemet më të thella të futbollit italian.
Në një intervistë për La Gazzetta dello Sport, numri një i fondit RedBird u shpreh se në Itali diskutohet shumë për polemika dhe shumë pak për çështjet reale që pengojnë zhvillimin e futbollit.
“Do të doja që vëmendja të ishte më shumë te temat thelbësore: rëndësia e infrastrukturës sportive, mënyra se si mund të modernizohet futbolli italian dhe pse Italia mungoi edhe në Botërorin e radhës, të tretin me radhë. Në vend të kësaj, krijohen vetëm polemika”, deklaroi Cardinale.
Më pas ai lëshoi edhe një thumbim të fortë ndaj Interit, duke iu referuar humbjes së zikaltërve në finalen e UEFA Champions League.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për Serie A. Bëhet fjalë për të mos shkuar në finalet e Champions-it dhe për të mos humbur 5-0. Duhet të jesh konkurrues në Europë”, u shpreh ai.
Cardinale ndaloi edhe te diferenca financiare mes kampionateve europiane, duke theksuar avantazhin e madh të Premier League ndaj ligave të tjera.
“Ekziston një diferencë 4 me 1 në të drejtat televizive mes Premier League dhe kampionateve të tjera. Hendeku i futbollit italian është rritur ndjeshëm. Dhe në botën e sotme, ky problem nuk zgjidhet pa para”, përfundoi pronari i Milanit.

