Drejtori sportiv shqiptar drejt Atalantës? Burime për OraNews: Sokol Haxhiaj përmendet në projektin e ri drejtues në Serie A
Atalanta e sezonit të ardhshëm pritet të jetë e rinovuar edhe nga pjesa drejtuese.
Lajme nga Italia flasin se pjesë e stafit drejtues pritet të jetë edhe drejtori sportiv shqiptar Sokol Haxhia.
Së fundmi në Itali është përfolur mundësia që Cristiano Giuntoli, një nga drejtorët më të vlerësuar të futbollit italian, të nisë një projekt të ri te Atalanta.
Edhe pse skenari mbetet i pakonfirmuar, emri i Sokol Haxhias është përmendur në qarqet sportive si një nga profesionistët që mund të bëhet pjesë e stafit të tij, duke pasur parasysh raportin e gjatë të komunikimit dhe bashkëpunimit profesional mes dy palëve.
Një mundësi e tillë, nëse materializohet, do të përfaqësonte një hap të rëndësishëm në karrierën e Haxhias, por njëkohësisht edhe për futbollin shqiptar, një vlerësim të kapaciteteve të tij menaxheriale dhe të reputacionit të ndërtuar në Itali.
Ekspertët italianë të merkatos vlerësojnë faktin se Haxhia ka një njohje të thellë të dy tregjeve — shqiptar dhe italian — duke e bërë atë një figurë të përshtatshme për klubet që kërkojnë të shikojnë përtej kufijve të tyre. Gjatë karrierës së tij, ai ka ndërmjetësuar transferime, ka ndërtuar ura komunikimi dhe ka qenë pjesë e projekteve sportive që synonin afrimin e talenteve dhe drejtuesve mes dy vendeve.
Aktualisht nuk ka konfirmime zyrtare lidhur me hapat e ardhshëm të Sokol Haxhias, por skenari i një angazhimi të ri në Itali mbetet real, veçanërisht nëse ndryshimet e pritshme në strukturat drejtuese të klubeve të Serie A konkretizohen.
Karriera e Sokol Haxhias ka qenë e lidhur ngushtë me futbollin italian, ku ka punuar prej vitesh si konsulent merkatoje, duke krijuar kontakte në nivel drejtuesish, agjentësh dhe klubesh elitare. Eksperienca te Partizani shërbeu si një fazë e rëndësishme profesionale, gjatë së cilës ai kontribuoi në strukturimin sportiv të klubit dhe në afrimin e profileve të reja të lojtarëve dhe trajnerëve.

