Prishtina dhe Durrësi gati të shkruajnë një kapitull historik për sportin mesdhetar

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja zhvilloi një takim të rëndësishëm pune me presidentin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 dhe njëherësh president i Komitetit Olimpik të Maltës, Julian Pace Bonello.

Në takim ishte i pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm i ICMG, Iakovos Filippousis, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, këshilltari i ministrit të Sportit të Kosovës, Drilon Brahimi dhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli.

Ky takim u zhvillua në kuadër të inspektimeve dhe koordinimit për përgatitjet e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, ku Durrësi do të ketë një rol kyç si qytet mbështetës për zhvillimin e të gjitha sporteve ujore.

Presidenti Julian Pace Bonello u shpreh i impresionuar nga mikpritja dhe progresi i sportit shqiptar, duke vlerësuar maksimalisht mbështetjen dhe bashkëpunimin strategjik për suksesin e Lojërave Mesdhetare 2030.

“Prishtina 2030 dhe Durrësi janë gati të shkruajnë një kapitull historik për sportin mesdhetar”, tha Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

Lojërat Mesdhetare do të jenë ngjarja më e madhe sportive ndërkombëtare që është organizuar ndonjëherë në Kosovë.