10 vjet nga anëtarësimi i Kosovës në FIFA dhe UEFA, Duka kujton momentin historik

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka kujtuar 10-vjetorin e një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e futbollit në Kosovë, anëtarësimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në FIFA dhe UEFA.

Në një postim, Duka e cilësoi këtë zhvillim si një arritje historike që vulosi praninë e Kosovës në arenën ndërkombëtare të futbollit.

Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e ish-presidentit të FFK-së, të ndjerit Fadil Vokrri, duke theksuar rolin e tij vendimtar në udhëheqjen e këtij procesi historik.

“Me respekt kujtoj legjendën Fadil Vokrri, që udhëhoqi me pasion këtë mision historik për futbollin e Kosovës. Kontributi i tij mbetet i paharruar”, u shpreh Duka.

Në mesazhin e tij, Duka përcolli urime edhe për presidentin aktual të FFK-së Agim Ademi, si dhe për të gjithë komunitetin sportiv në Kosovë me rastin e këtij përvjetori.

“Urime mikut tim, Presidentit Agim Ademi, Federatës së Futbollit të Kosovës dhe gjithë komunitetit sportiv në këtë përvjetor të veçantë”, shkroi Duka.

Anëtarësimi i Kosovës në FIFA dhe UEFA 10 vite më parë konsiderohet një moment kyç për zhvillimin e futbollit të Kosovës në nivel ndërkombëtar.