Briken Calja i rrëfen të gjitha: Suksesi, objektivi dhe pengu i kampionit të peshëngritjes
Peshëngritësi shqiptar, Briken Calja, ka prekur sërish majën e Europës, duke u shpallur kampion në stilin e shtytjes në Kampionatin Europian të zhvilluar në Batumi të Gjeorgjisë.
Sportisti kuqezi, i cili garoi në kategorinë 79 kg, arriti të ngrinte 187 kilogramë, duke siguruar medaljen e artë në këtë stil dhe atë të argjendtë në dygarësh me një total prej 340 kilogramësh.
Por pas këtij triumfi fshihet një histori e jashtëzakonshme sakrificash dhe dhimbjeje.
Në një rrëfim në “Kafe Shqeto” në Syri TV me Flavio Qarrin, Calja zbuloi betejën e vështirë që kaloi pas një dëmtimi të rëndë në pjesën cervikale të shtyllës kurrizore, i cili e bëri të mendonte se karriera e tij kishte marrë fund.
"Isha me plot pengesa, i kisha të kufizuara lëvizjet. Mund të kem bërë brenda një viti mbi 400-500 gjilpëra në pjesën e qafës", shprehet ai, duke përshkruar një periudhë me dhimbje pafund dhe kufizime fizike, deri në pikën ku duhej të flinte me qafare ortopedike.
Pavarësisht vështirësive, dëshira për t'u rikthyer ishte më e fortë. I shtyrë nga objektivat dhe ëndrra për të qenë sërish në elitën e sportit, Calja e përshkruan këtë rikthim si një "rilindje të pabesueshme".
“Puna e palodhur dhe këmbëngulja u shpërblyen në Batumi, në një moment kulminant plot emocion”, pohoi kampioni i shtangës.
I pyetur se cila ishte gjëja e parë që mendoi kur uli shtangën pas provës fituese,Calja përgjigjet pa hezitim: "Familjen".
Sipas tij, ata janë pjesë integrale e sakrificës dhe rrugëtimit të tij. Megjithatë, festa këtë herë ishte e përmbajtur. Calja zbuloi se kjo fitore kishte një dedikim të veçantë dhe prekës.
"E para që më erdhi ndërmend ishte ajo (nëna). Ajo kishte merak më të madh të shikonte vajzën që erdhi në jetë, por s'ia doli dot", rrëfen ai me emocion, duke ia kushtuar këtë medalje kujtimit të nënës së tij.
Ky sukses vjen në një kohë kur konkurrenca në peshëngritje është tejet e fortë, veçanërisht nga vendet e lindjes si Gjeorgjia, Rusia dhe Ukraina, çka e bën arritjen e Briken Caljes edhe më domethënëse.
Një triumf që dëshmon jo vetëm forcën fizike, por mbi të gjitha forcën e jashtëzakonshme të vullnetit për të mposhtur çdo sfidë.
Dhe siç e pohoi dhe vetë, Briken Calja synon të arrijë shifrën e 50 medaljeve e pse jo, të marrë pjesë në eventin më madhor, në Lojërat Olimpike.

