Java Olimpike bashkon mijëra nxënës në aktivitete sportive në të gjithë vendin

Java Olimpike po zhvillohet në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet në të gjithë vendin, duke përfshirë mijëra nxënës në aktivitete dhe disiplina të ndryshme sportive.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale momente nga organizimi i Javës Olimpike, duke vlerësuar energjinë dhe pjesëmarrjen e nxënësve në këtë nismë që promovon sportin dhe vlerat olimpike.

Java Olimpike bashkon mijëra nxënës në aktivitete sportive

Sipas saj, pesë ngjyrat e Olimpizmit po shndërrohen në simbol të bashkimit, garës së ndershme dhe frymës sportive në shkollat shqiptare.

Me mbështetjen e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, gjatë këtyre javëve janë organizuar gara dhe veprimtari sportive që synojnë promovimin e bashkëpunimit, respektit dhe jetesës aktive tek të rinjtë.

Java Olimpike synon të nxisë angazhimin e nxënësve në sport, duke e konsideruar atë si një element të rëndësishëm për edukimin, frymëzimin dhe forcimin e frymës së bashkëpunimit mes të rinjve.