“Vaji i peshkut mund të dëmtojë trurin”

Një studim i ri ka ngritur pikëpyetje mbi përfitimet e vajit të peshkut për trurin, duke sugjeruar se një nga përbërësit kryesorë të tij, acidi yndyror EPA, mund të pengojë procesin e rikuperimit pas traumave të lehta të përsëritura në kokë.

Studimi u botua në “Cell Reports” më 25 mars 2026.

Kërkimi u drejtua nga Onder Albayram dhe Eda Karakaya në Universitetin e Mjekësisë të Karolinës Jugore, në bashkëpunim me institutin privat kërkimor shkencor në SHBA, i specializuar në biologji, gjenetikë, kancer dhe neuroshkencë “Cold Spring Harbor Laboratory” dhe studiues të tjerë amerikanë.

Studimi përdori modele laboratorike me minj, qeliza të enëve të gjakut të trurit të njeriut dhe analiza të indeve të trurit pas vdekjes, nga persona me encefalopati traumatike kronike, një sëmundje neurodegjenerative e trurit që lidhet me goditje të përsëritura në kokë, shpesh te sportistët.

Studimi amerikan sugjeron se suplementet me vaj peshku mund të mos jenë gjithmonë të dobishme për trurin, sidomos te personat që kanë pësuar trauma të lehta të përsëritura në kokë.

Sipas studiuesve, acidi yndyror EPA — një nga përbërësit kryesorë të Omega-3, që gjendet në vajin e peshkut — mund të ndikojë negativisht në aftësinë e trurit për të riparuar enët e gjakut pas dëmtimeve.

Në testet me minj, përdorimi afatgjatë i vajit të peshkut u lidh me një performancë më të dobët neurologjike dhe probleme në orientimin hapësinor.

Studiuesit zbuluan gjithashtu grumbullim të proteinës TAU rreth enëve të gjakut në tru, një proces që lidhet me encefalopatinë traumatike kronike.

Në analizat laboratorike, EPA uli aftësinë e qelizave të enëve të gjakut për t’u rikuperuar, ndërsa një tjetër Omega-3, DHA, nuk tregoi të njëjtin efekt.

Ekspertët theksojnë se gjetjet nuk nënkuptojnë se vaji i peshkut është i dëmshëm për të gjithë.

Sipas tyre, ndikimi i Omega-3 mund të varet nga gjendja e trurit, historia e dëmtimeve dhe faktorët biologjikë individualë.