Avokado, fruti me yndyrna të mira që mbron zemrën
Ndryshe nga shumica e frutave të freskëta, avokado përmban shumë pak sheqer dhe shumë yndyrna (rreth 23%), por nga këto vetëm 2,5% janë të ngopura (yndyrna që dëmtojnë zemrën), ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga yndyrna të pangopura.
Për më tepër, ky frut përmban edhe një sasi të mirë të vitaminës E, një antioksidant natyral që ndihmon në luftimin e veprimit të radikaleve të lira dhe ngadalëson proceset e plakjes së qelizave.
Gjithashtu, lëndët ushqyese të tij ndihmojnë që të ndiheni të ngopur për më gjatë, duke shmangur ngrënien e ushqimeve jo të shëndetshme ndërmjet vakteve.
Është një frut i pasur me kalium, i cili është shumë i rëndësishëm për organizmin e njeriut, pasi ndihmon në mbajtjen nën kontroll të presionit të gjakut.
Kundërindikacionet e mundshme të avokados
Nuk janë të njohura kundërindikacione specifike për konsumimin e avokados, por personat alergjikë ndaj lateksit, bananeve, pjeprit, pjeshkës, gështenjave, domates, patates dhe kivit duhet ta konsumojnë me kujdes për shkak të rrezikut të mundshëm të alergjisë së kryqëzuar.
Ndër shenjat e mundshme alergjike që mund të shkaktojë avokado përfshihen sindroma e alergjisë orale (kruarje në gojë, fyt dhe ënjtje e gjuhës) si dhe simptoma të përgjithshme (frymëmarrje me vështirësi, ndjesi shtrëngimi në kraharor, dhimbje barku dhe diarre).
Për më tepër, nëse konsumohen në sasi të mëdha, farat dhe gjethet e Persea gratissima mund të jenë toksike.

