PAKISTANI VR*T TË DR*GUARIT E REHABILITUAR/ Ekz*kutohen 269 afganë, familjarët dhe OKB, duan të dinë pse
Të paktën 269 persona u vranë në një sulm ajror pakistanez mbi një qendër rehabilitimi nga droga në Kabul. Familjet e viktimave dhe OKB-ja thonë se objektivi ishte civil, ndërsa Pakistani mohon akuzat. Ngjarja po konsiderohet si një nga masakrat më të rënda në historinë moderne të Afganistanit.
Një sulm ajror pakistanez mbi qendrën e rehabilitimit nga droga “Omid” në Kabul ka lënë të paktën 269 të vrarë, sipas Kombeve të Bashkuara. Mes viktimave kishte pacientë, mjekë dhe punonjës të qendrës, ndërsa shumë trupa u dogjën ose u copëtuan, duke e bërë identifikimin pothuajse të pamundur.
Familjarët e viktimave tregojnë për skena tronditëse dhe hedhin poshtë pretendimet e Pakistanit se objekti përdorej për qëllime ushtarake. Ata insistojnë se “Omid” ishte një qendër e njohur rehabilitimi, e hapur prej vitesh dhe e mbështetur edhe nga agjenci ndërkombëtare.
Motra e një 24-vjeçari të vrarë në sulm, thotë se arriti ta identifikonte vëllain vetëm përmes një shenje lindjeje. Shumë familje të tjera ende nuk kanë gjetur trupat e të afërmve të tyre.
Pakistani mohon të ketë goditur civilë dhe deklaron se objektivi ishin “infrastruktura terroriste”. Ushtria pakistaneze pretendon se qendra mund të ishte përdorur për trajnimin e kamikazëve, por këto akuza kundërshtohen nga dëshmitarët, familjarët dhe organizatat ndërkombëtare.
Human Rights Ëatch e ka quajtur sulmin “të paligjshëm” dhe “krim të mundshëm lufte”, ndërsa talebanët kanë kërkuar hetim ndërkombëtar dhe ndëshkim të përgjegjësve.
Sulmi vjen në një kohë tensionesh të forta mes Pakistanit dhe Afganistanit, me të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën për mbështetje të grupeve të armatosura.
Për familjet afgane, dhimbja mbetet e madhe dhe përgjigjet ende mungojnë.
