Izraeli miraton ekz*kutimet, parashikon gjyqe publike dhe dënime kapitale për t*rroristët
Parlamenti i Izraelit ka miratuar një ligj të ri që lejon dënimin me vdekje për personat e përfshirë në sulmet e 7 tetorit 2023. Ligji parashikon edhe gjyqe publike ushtarake për anëtarët e dyshuar të Hamasit. Ndwrsa organizatat për të drejtat e njeriut e kanë kundërshtuar ashpër këtë vendim
Nisur nga raport i ri ndërkombëtar që akuzon Hamasin për përdhunime dhe dhunë seksuale sistematike gjatë sulmit të 7 tetorit në Izrael, qeverria izraelite ka miratuar një ligj të ri që lejon vendosjen e dënimit me vdekje dhe zhvillimin e gjyqeve publike për personat e akuzuar për përfshirje në sulmet e 7 tetorit 2023.
Legjislacioni u votua në parlamentin izraelit me 93 vota pro dhe asnjë kundër, duke marrë mbështetje të gjerë si nga qeveria ashtu edhe nga opozita.
Ligji krijon një kuadër të posaçëm për gjykimin e anëtarëve të dyshuar të njësisë Nukhba të Hamasit, të cilët akuzohen për terrorizëm, vrasje, rrëmbime dhe dhunë seksuale gjatë sulmeve në jug të Izraelit.
Proceset gjyqësore do të zhvillohen në një gjykatë speciale ushtarake në Jerusalem dhe momentet kryesore të tyre do të transmetohen publikisht.
Autoritetet izraelite e krahasojnë këtë proces me gjyqin historik ndaj Adolf Eichmannit, kriminelit nazist të luftës që u ekzekutua në Izrael në vitin 1962. Sipas qeverisë, ligji synon të sigurojë drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.
Megjithatë, organizatat izraelite dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë reaguar ashpër kundër këtij vendimi. Ato paralajmërojnë se gjyqet mund të mbështeten në rrëfime të marra nën torturë dhe se dënimi me vdekje shkel standardet ndërkombëtare të drejtësisë.
Ndërkohë, familjet e viktimave të 7 tetorit kërkojnë jo vetëm ndëshkim për autorët e sulmeve, por edhe një hetim të plotë për mënyrën se si ndodhi tragjedia më e rëndë në historinë moderne të Izraelit.
