Shehi zbulon prapaskenat e incidentit në Elbasan dhe sekretin e ringritjes së Tiranës

Trajneri Orges Shehi, në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Sport Focus", në "Ora News" e cilësoi mbylljen e sezonit si “më të mirën e mundshme” për Tiranën, duke theksuar se objektivi kryesor, shmangia e “play-out”-it, u arrit me sukses.

Pas një sezoni të vështirë dhe plot sfida, bardheblutë arritën të siguronin qëndrimin në elitë, një arritje që sipas teknikut ishte maksimumi duke marrë parasysh pozicionin e vështirë ku ndodhej skuadra.

Duke folur për ndeshjen vendimtare në Elbasan, e cila nisi me tensione mes tifozerive, Shehi zbuloi se skuadra ndodhej në dhomat e zhveshjes kur ndodhi incidenti.

“Ne ishim brenda dhe po bëheshim gati të dilnim në fushë. U lajmëruam që ndeshja do të shtyhej pak për shkak të një incidenti,” shpjegoi ai.

Ndonëse nuk e panë ngjarjen drejtpërdrejt, trajneri theksoi se këto janë situata që duhen anashkaluar, duke shpresuar që çështja të jetë mbyllur dhe të mos përsëritet në të ardhmen.

Pyetjes se çfarë solli transformimin e Tiranës në fundin e kampionatit, Shehi i përgjigjet pa hezitim. Sipas tij, ndryshimi thelbësor erdhi si pasojë e pozicionit të vështirë në renditje.

“Pozicioni nuk ishte i mirë dhe aty ndryshoi komplet qasja e lojtarëve,” pohoi ai.

Momenti i keq dhe kalimi i javëve rritën përgjegjësinë brenda grupit, duke i shtyrë lojtarët të luftonin për të shmangur një zonë që, sipas trajnerit, “nuk i shkonte përshtat as cilësisë së ekipit dhe as klubit që përfaqësonin”.

Kjo ndërgjegjësim solli një seri rezultatesh pozitive.

Shehi shpjegon se me fitoret e para erdhi gradualisht edhe besimi, i cili kulmoi me një performancë të shkëlqyer në fazën finale të kampionatit, ku skuadra regjistroi shtatë fitore dhe dy barazime.

Ky sprint final ishte çelësi që e nxori Tiranën nga një zonë tejet e rrezikshme, duke i dhënë fund një sezoni dramatik me një shpëtim të merituar.

Ndiqni intervistën e plotë: