Samsung përballë padisë së 'kripur' nga Dua Lipa/ Këngëtarja kërkon 15 milionë dollarë për përdorim të paautorizuar të imazhit

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka ndërmarrë hapa ligjorë ndaj kompanisë Samsung, duke kërkuar 15 milionë dollarë dëmshpërblim për përdorim të paautorizuar të imazhit të saj.

Sipas dokumenteve të dorëzuara në gjykatë në Kaliforni, imazhi i artistes është përdorur në paketimet e televizorëve të kompanisë pa leje dhe pa një marrëveshje financiare me ekipin e saj.

Fotoja, e marrë nga një performancë e saj në Austin City Limits, është përdorur për një periudhë të gjatë kohore.

Ekipi i Dua Lipës ka tentuar fillimisht ta zgjidhë çështjen jashtë gjykatës, duke kërkuar heqjen e imazhit nga produktet, por kërkesa nuk është pranuar, gjë që ka çuar në nisjen e procesit ligjor.

Në dosjen e padisë janë përfshirë edhe disa reagime në rrjete sociale, ku përdorues të ndryshëm shprehen se imazhi i këngëtares ka ndikuar në vendimin e tyre për të blerë produktin.

Nga ana e saj, Dua Lipa mbron të drejtën mbi imazhin e saj, duke argumentuar se ajo e menaxhon me kujdes çdo bashkëpunim dhe përdorim komercial të figurës së saj, ndaj çdo përdorim pa leje konsiderohet shkelje e të drejtave të saj.