Ujitja “nga poshtë” po kthehet në trend/ Metoda që forcon rrënjët, mbron gjethet dhe mban larg insektet

Një mënyrë e thjeshtë për ujitjen e bimëve po tërheq vëmendje te dashamirësit e kopshtarisë në shtëpi. Bëhet fjalë për metodën “nga poshtë lart”, ku uji nuk hidhet mbi gjethe, por vendoset në pjatën poshtë vazos dhe bima e thith vetë.

Sipas një adhuruesi të bimëve nga Australia, Brad Canning, kjo mënyrë ndihmon që bima të marrë vetëm sasinë e ujit që i nevojitet, pa e tepruar me lagështinë në dhe.

Ai tregon se kjo metodë është e thjeshtë dhe mund të bëhet në çdo shtëpi.

Procesi është i thjeshtë: vazoja vendoset në një enë me ujë për rreth 10 minuta. Uji ngjitet gradualisht nga poshtë dhe arrin te rrënjët, duke e lagur dheun në mënyrë të barabartë.

Kjo e ndihmon bimën të zhvillojë rrënjë më të forta, pasi ato kërkojnë ujin poshtë.

Kjo mënyrë shihet edhe si më e kujdesshme për disa bimë që nuk e pëlqejnë lagien e gjetheve.

Gjithashtu, sipas tij, mund të ndihmojë edhe në shmangien e problemeve që krijohen kur bimët ujiten tepër, si lagështia e tepërt në tokë apo shfaqja e insekteve.

Ai këshillon që bima të mos lihet shumë gjatë në ujë, pasi rrënjët mund të dëmtohen. Mjafton të pritet derisa sipërfaqja e dheut të fillojë të ndjehet e lagësht.

Kjo metodë po shihet si një zgjidhje praktike për ata që duan të kujdesen më mirë për bimët e tyre në shtëpi, pa shumë mundim dhe pa rrezikuar t’i dëmtojnë.