Qerpikët me shkëlqim rikthehen në trend/ Si të krijoni një pamje moderne pa rrezikuar grimin…
Qerpikët me shkëlqim po rikthehen si një trend i ri në grimin e syve, jo vetëm për festa, por edhe për përdorim të përditshëm.
Grimerët sugjerojnë se kjo pamje mund të realizohet lehtë duke përdorur rimel me grimca shkëlqyese ose duke e kombinuar me hije sysh metalike si argjendi, ari apo bronzi.
Sipas tyre, kombinimet me nuanca të zeza, bezhë ose tonet e tymosura krijojnë një efekt më të balancuar dhe elegant.
Për të shmangur problemet gjatë aplikimit, këshillohet kujdes që produkti të mos futet në sy. Në rast se ndodh, rekomandohet shpëlarja me ujë ose përdorimi i pikave për sy, ndërsa fërkimi duhet shmangur.
Nëse shkëlqimi bie në lëkurë, një zgjidhje e thjeshtë është përdorimi i shiritit ngjitës për ta hequr pa prishur grimin.
Gjithashtu, njollat e vogla të rimelit hiqen më lehtë pasi të jenë tharë, duke përdorur një furçë të pastër.
Sa i përket ngjyrave, më të përdorurat këtë sezon janë argjendi, ari dhe ari rozë. Argjendi përdoret më shumë për pamje mbrëmjeje, ari për kombinime të ndryshme, ndërsa ari rozë jep një efekt më të butë dhe romantik. Po ashtu, po fitojnë popullaritet edhe efektet holografike dhe tonet e bronzit.
Për heqjen e grimit me shkëlqim, specialistët këshillojnë pastrues pa vaj për zonën e syve, ose produkte si uji micelar dhe balsamët pastrues, të cilët ndihmojnë në largimin e mbetjeve pa irrituar lëkurën.

