“Je tepër i ndjeshëm” dhe fraza të tjera që lënë gjurmë të thella emocionale te fëmijët

Fjalët që prindërit u thonë fëmijëve mund të kenë ndikim më të madh sesa mendohet, jo vetëm në moment, por edhe në mënyrën si ata rriten dhe e shohin veten më vonë në jetë.

Sipas psikologëve, komunikimi i përditshëm brenda familjes ndikon në vetëbesimin, emocionet dhe mënyrën si fëmijët përballen me jetën.

Ekspertët shpjegojnë se fjali të përsëritura si “je tepër i ndjeshëm” mund t’i bëjnë fëmijët të mos i besojnë emocioneve të tyre, duke i shtypur ndjenjat me kalimin e kohës.

Po ashtu, shprehje si “mjaft qave” mund t’u krijojnë ndjesinë se shprehja e emocioneve nuk është e pranueshme, gjë që më vonë mund të sjellë vështirësi në menaxhimin e stresit dhe ankthit.

Një tjetër formë e zakonshme është krahasimi me fëmijë të tjerë, që shpesh i bën fëmijët të ndihen të pamjaftueshëm dhe mund të çojë në perfeksionizëm dhe pasiguri në vetvete.

Ndërkohë, paralajmërimet e vazhdueshme me frikë mund t’i bëjnë fëmijët të rriten me ndjesinë se bota është e rrezikshme dhe e pasigurt.

Sipas specialistëve, edhe fjali si “mos më turpëro” apo “duhet ta kishe ditur” mund të krijojnë turp, ankth social dhe një kritik të brendshëm të ashpër te fëmijët, duke ndikuar në mënyrën si ata sillen dhe ndihen si të rritur.

Psikologët theksojnë se fjalët nuk janë thjesht komunikim i zakonshëm, por mesazhe që ndërtojnë gradualisht mënyrën si fëmijët e shohin veten dhe botën përreth.