PAPA THIRRJE UDHËHEQËSVE PËR PAQE/ Leo XIV kërkon fundin e dh*nës dhe uljen e tensioneve ndërkombëtare

Në përvjetorin e zgjedhjes së tij si kreu i Kishës Katolike, Papa Leo 14 ka bërë thirrje për paqe dhe ulje të tensioneve globale. Gjatë meshës në Pompei ai kërkoi që liderët botërorë të ndalojnë dhunën dhe konfliktet. Ati i Shenjtë paralajmëroi për rrezikun e normalizimit të luftës teksa kritikoi tregtinë e armëve dhe mungesën e respektit për jetën njerëzore.

Në përvjetorin e parë të zgjedhjes së tij si kreu i Kishës Katolike, Papa Leo XIV përcolli një mesazh të qartë për paqen dhe u bëri thirrje udhëheqësve botëror të ndalojnë dhunën dhe konfliktet. Gjatë meshës së mbajtur në qytetin e Pompeit në Itali, Ati i Shenjtë u bëri thirrje besimtarëve dhe liderëve botërorë të punojnë për uljen e tensioneve ndërkombëtare dhe shmangien e konflikteve të reja.

Papa theksoi se urrejtja dhe përçarjet po rrezikojnë seriozisht paqen botërore. Ai kërkoi që Zoti të “prekë zemrat” e drejtuesve politikë dhe të ndriçojë ata që mbajnë përgjegjësi qeverisëse, në mënyrë që vendimet e tyre të orientohen drejt dialogut dhe jo dhunës.

Në fund të fjalimit, Ati i Shenjtë paralajmëroi se bota nuk duhet të mësohet me luftën dhe me normalizimin e dhunës. Ai kritikoi ekonomitë që favorizojnë tregtinë e armëve mbi respektin për jetën njerëzore, duke kërkuar një angazhim më të madh global për paqe, solidaritet dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor.

Deklarata e Papës erdhi vetëm një ditë pas takimit të tij në Vatikan me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Vatikani bëri të ditur se gjatë bisedimeve palët shprehën gatishmërinë për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Papa Leo XIV i zgjedhur më 8 maj 2025 pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut ka mbajtur një profil të kujdesshëm gjatë muajve të parë të pontifikatit të tij. Megjithatë javët e fundit ai është shfaqur më i drejtpërdrejtë në qëndrimet kundër luftës, dhunës dhe autoritarizmit, duke e vendosur paqen në qendër të mesazheve të tij publike duke marr përsipër përballjen në fjalimet e tyre me presidentin amerikan Donald Trump.