SHKRIHET DISTRIKTI AFRO-AMERIKAN/ Harta e re zgjedhore ndan zonën me shumicë afro-amerikane në 3 distrikte
Ligjvënësit republikanë në Tenesi kanë miratuar një hartë të re zgjedhore që shkrin një distrikt me shumicë afro-amerikane në Memfis. Vendimi pritet të ndikojë ndjeshëm në zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA. Demokratët e kanë cilësuar ndryshimin si diskriminues, ndërsa republikanët e mbrojnë si vendim politik.
Në Tennessee (Tenesi) është miratuar një hartë e re kongresionale që ka shkaktuar polemika të forta politike dhe reagime të ashpra në SHBA.
Vendimi i republikanëve në parlamentin shtetëror synon rishpërndarjen e zonave zgjedhore, duke ndikuar drejtpërdrejt në një distrikt me shumicë afro-amerikane në Memphis (Memfis).
Sipas planit të ri, qarku Shelby, ku ndodhet Memphis, ndahet në tre distrikte të ndryshme që favorizojnë republikanët.
Kjo lëvizje pritet të ndikojë në humbjen e vendit të demokratit Steve Cohen (Stivë Kohen), i cili përfaqëson zonën që nga viti 2007. Republikanët argumentojnë se ndryshimi nuk lidhet me racën, por me strategji politike dhe përfaqësim më të fortë konservator në Kongres.
Megjithatë, demokratët dhe aktivistët për të drejtat civile e kanë kundërshtuar fuqishëm këtë vendim, duke e quajtur një formë të re diskriminimi elektoral.
Protesta të shumta u zhvilluan në kryeqytetin e shtetit, ku ligjvënës dhe qytetarë kundërshtuan miratimin e hartës së re.
Ndërkohë, përfaqësues të Partisë Demokratike e kanë krahasuar vendimin me praktika historike të kufizimit të votës për komunitetet afro-amerikane, duke ngritur shqetësime për ndikimin e tij në përfaqësimin politik.
Çështja pritet të përfundojë në gjykatë, pasi organizata për të drejtat civile kanë depozituar padi për ta bllokuar vendimin.
Debati në Tennessee (Tenesi) është pjesë e një vale më të gjerë ndryshimesh zgjedhore në disa shtete amerikane, ku procesi i rindarjes së zonave po kthehet në një betejë të fortë politike mes demokratëve dhe republikanëve.
