BE: KOSOVA TË REFORMOHET/ Palatova: Integrimi kërkon përgjegjësi dhe përfshirje shoqërore të gjerë

Për Kosovën, Bashkimi Evropian theksuar nevojën për reforma të thella dhe institucione të qëndrueshme në rrugën drejt integrimit. Ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së BE-së, Eva Palatova deklaroi se procesi evropian kërkon përgjegjësi dhe bashkëpunim politik. Ajo kërkoi edhe formim të shpejtë të qeverisë pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, por ky proces kërkon reforma të thella, përgjegjësi institucionale dhe përfshirje të gjerë shoqërore.

Kjo është theksuar nga ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, gjatë një aktiviteti në Prishtinë me rastin e Ditës së Evropës.

Në ceremoninë e publikimit të një dokumentari mbi bashkëpunimin mes Kosovës dhe BE-së, Palatova vlerësoi progresin e arritur ndër vite, por nënvizoi se integrimi evropian nuk është një proces i shpejtë, por i ndërtuar mbi reforma dhe besim të ndërsjellë.

Sink. Eva Palatova “Integrimi evropian nuk ndodh brenda natës. Ai kërkon reforma, përgjegjësi dhe besim në atë që mund të arrijmë së bashku. Duhet një qasje gjithëpërfshirëse shoqërore, ku të gjitha institucionet dhe aktorët politikë marrin pjesë në mënyrë aktive.”

Palatova tha se Bashkimi Evropian pret që Kosova të krijojë një qeveri stabile dhe me shumicë të fuqishme parlamentare, në mënyrë që të vazhdojë zbatimi i reformave në kuadër të agjendës evropiane.

Sink. Eva Palatova “Duhet të shohim një formim të shpejtë të institucioneve, me një qeveri që ka shumicë të fortë në Kuvend, që ka aftësi të gjenerojë kompromise të shëndetshme ndërpartiake për të zgjedhur presidentin dhe të vazhdojë me reformat”

Deklaratat e saj vijnë në një periudhë kur skena politike në Kosovë po hyn në fazën përfundimtare të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa çështja e krijimit të shumicës parlamentare dhe zgjedhjes së presidentit po konsiderohet një nga sfidat kryesore politike pas procesit zgjedhor.