(EMRAT) Ekz*kutimi mafioz në Athinë/ Policia greke arreston 4 persona, përfshihen edhe 2 shqiptarë

Policia greke ka arrestuar katër persona të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e mafiozit Jorgos Moskouris, i njohur si “Thamnakia”, ngjarje e ndodhur më 24 prill 2025 në Halandri të Athinës.

Sipas autoriteteve, operacioni është zhvilluar pas një hetimi disa mujor nga Departamenti i Vrasjeve.

Të arrestuarit dyshohen se kanë ndihmuar autorët e ekzekutimit duke siguruar mjete, armë dhe logjistikë për sulmin ndaj 55-vjeçarit, i cili u qëllua me armë automatike jashtë një klinike private.

Në mesin e të ndaluarve janë dy shtetas grekë me origjinë shqiptare, Dhionis Kokoni dhe një person me mbiemrin Jupe, si dhe dy shtetas grekë, Dhimitris Aleksopoulos dhe Aleksandros Petropoulos.

Hetuesit dyshojnë se grupi ka pasur rol mbështetës në organizimin e vrasjes, ndërsa ekzekutimi mendohet se është kryer nga persona të huaj që kanë hyrë dhe janë larguar shpejt nga Greqia.

Policia greke po vijon hetimet edhe për persona të tjerë të dyshuar si të lidhur me organizimin e krimit, përfshirë një figurë të njohur të botës së krimit që dyshohet se ndodhet jashtë vendit.

Ngjarja lidhet me konfliktet për kontrollin e aktiviteteve kriminale, përfshirë kontrabandën e duhanit, sipas burimeve hetimore.

Edhe pse katër persona janë vënë në pranga, autorët e drejtpërdrejtë të vrasjes ende nuk janë identifikuar dhe mbeten në kërkim.

Vrasja e Moskouris ndodhi pas një prite të organizuar mirë, ndërsa autorët u larguan me një automjet të vjedhur, i cili më vonë u gjet i djegur në zonën e Halandrit.