Peggy Guggenheim, gruaja që ndryshoi rrjedhën e artit modern
Një nga figurat më të rëndësishme të artit modern, Peggy Guggenheim, rikthehet në vëmendje përmes historisë së saj të jashtëzakonshme si koleksioniste, promotore dhe vizionare që ndryshoi përgjithmonë skenën artistike ndërkombëtare.
E lindur në Nju-Jork në vitin 1898, jeta e saj u shënua herët nga tragjedia, pasi humbi të atin në katastrofën e Titanic. Kjo ngjarje nuk e ndaloi të ndërtonte një rrugëtim të guximshëm në botën e artit.
Në vitet ’20, Guggenheim u zhvendos në Paris, ku u bë pjesë e rretheve avangardë dhe krijoi lidhje me artistë që më vonë do të formësonin artin modern. Në vitin 1938, ajo hapi galerinë “Guggenheim Jeune” në Londër, ku prezantoi artistë si Wassily Kandinsky.
Me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, ajo u detyrua të largohej nga Europa dhe të kthehej në SHBA, ku në vitin 1942 hapi galerinë “Art of This Century” në Nju-Jork. Aty, në vitin 1943, ajo i dha artistit të ri Jackson Pollock ekspozitën e tij të parë personale, duke ndikuar drejtpërdrejt në lindjen e ekspresionizmit abstrakt.
Pas luftës, në vitin 1947, ajo prezantoi koleksionin e saj në Bienalen e Venecias, përpara se të vendosej përfundimisht në Venecia në vitin 1949, në Palazzo Venier dei Leoni. Dy vite më vonë, ajo e hapi koleksionin e saj për publikun, duke e kthyer atë në një nga hapësirat më të rëndësishme të artit modern në Europë.
Sot, “Peggy Guggenheim Collection”, mbetet një nga muzetë më të vizituar në Itali, duke dëshmuar trashëgiminë e saj të jashtëzakonshme.

