VIDEO/ Ismajli dhe Torino ndalin Interin, zikaltrit tashmë janë 3 pikë larg titullit

Në javën e 34-t të Serie A, Inter ka humbur mundësinë për të siguruar një fitore të rëndësishme, duke barazuar 2-2 në transfertë ndaj Torinos, pas një përmbysjeje të vendasve.

Zikaltrit e nisën ndeshjen në mënyrë dominuese, duke kaluar në avantazh me dy gola. Në minutën e 23-të, Marcus Thuram realizoi pas një asistimi nga Federico Dimarco.

Ky i fundit ishte sërish protagonist në minutën e 61-të, kur nga një goditje këndi shërbeu për Yann Bisseck, që shënoi për 2-0.

Megjithatë, skuadra e drejtuar nga Cristian Chivu pësoi një rënie të papritur në lojë. Në minutën e 70-të, Giovanni Simeone ngushtoi diferencën për Torinon, ndërsa në të 79-ën, një prekje me dorë në zonë nga Carlos Augusto solli një penallti për vendasit. Nga pika e bardhë u tregua i saktë Nikola Vlašić, duke barazuar shifrat në 2-2.

Me këtë barazim, Inter ruan avantazhin prej 10 pikësh ndaj Napoli dhe mbetet shumë pranë titullit kampion.

Zikaltrit kanë tashmë një “match point” për titullin, nëse fitojnë ndaj Parma në ndeshjen e radhës në San Siro, do të shpallen matematikisht kampionë të Italisë, pavarësisht rezultateve të rivalëve si Napoli dhe Milan.