U hodhi ushqimin nxënësve në oborr, procedohet drejtori i shkollës private në Elbasan

Drejtori i një shkolle private në Elbasan është proceduar penalisht nga policia e Elbasanit, pasi u shfaq në një video "skandaloze" nëpër rrjete sociale teksa dhunonte nxënësit në oborrin e shkollës dhe hidhte ushqimet e tyre. 

‘Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për: shtetasin F. K., 49 vjeç, për veprat penale “Keqtrajtimi i të miturve” dhe “Fyerja”, pasi shfaqet në një video të publikuar në një portal, duke shtyrë fizikisht, nxënës të shkollës private që drejton, si dhe duke hedhur produktet ushqimore që nxënësit kishin blerë për t’i konsumuar’, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia nisi ndjekje penale për shtetasin turk Fatih Konuksever për veprën penale "Fyerja e të miturve".

Edhe pse nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes, asnjë shkak nuk justifikon sjelljen e paprecedentë të një drejtuesi institucioni arsimor.

Nga ana tjetër ka reaguar edhe Bashkia e Elbasanit, e cila ka gjobitur shtetasin turk për ndotje të mjedisit teksa shfaqet duke hedhur ushqimet e fëmijëve.