Gjendja e İbrahim Tatlıses përmirësohet pas operacionit, fotoja nga spitali qetëson fansat

Gjendja e İbrahim Tatlıses përmirësohet pas operacionit, fotoja nga
Një foto e shpërndarë nga miku i tij i ngushtë, Mahmut Tuncer, gjatë një vizite në spital, ka zbuluar gjendjen e fundit shëndetësore të ikonës së muzikës turke, İbrahim Tatlıses.

Artisti i njohur, i cili pak ditë më parë iu nënshtrua një operacioni në tëmth, kishte shqetësuar fansat pasi për shkak të një infeksioni të rëndë ishte trajtuar edhe në terapi intensive. Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë për një përmirësim të ndjeshëm të gjendjes së tij.

Në një postim në rrjetet sociale, Tuncer publikoi një foto së bashku me Tatlıses, duke shkruar: “Vëllai im İbrahim Tatlıses është si luan, na jepni një ‘maşallah’”. Edhe pse në foto artisti duket më i dobët, ajo që bie në sy është gjendja e mirë shpirtërore dhe morali i lartë.

Postimi u bë menjëherë viral, duke marrë mijëra komente mbështetëse dhe urime për shërim të shpejtë nga fansat e shumtë të këngëtarit, të cilët kanë ndjekur me shqetësim zhvillimet e fundit për shëndetin e tij.