Emërimi i Peter Mandelson si ambasador në SHBA anashkaloi verifikimin e sigurisë, Keir Starmer pranon gabimin

Një skandal i ri ka shpërthyer në politikën britanike, pas emërimit të Peter Mandelson si ambasador në SHBA, një vendim që tani po vihet seriozisht në pikëpyetje për shkak të problemeve me verifikimin e sigurisë dhe lidhjeve të përfolura me Jeffrey Epstein.

Keir Starmer pranoi në Parlament se kishte bërë një gabim me këtë emërim.

Ai tha se as ai dhe as ministrat nuk kishin dijeni që Mandelson fillimisht nuk kishte kaluar verifikimin e sigurisë.

Sipas tij, është e papranueshme që një informacion i tillë të mos i jetë përcjellë drejtuesve të qeverisë.

Nga hetimet paraprake rezulton se agjencia britanike e sigurisë kishte rekomanduar që Mandelson të mos pajisej me autorizimin e plotë, por kjo ishte anashkaluar nga Ministria e Jashtme.

Tashmë kjo praktikë është ndaluar.

Starmer ka urdhëruar një hetim të plotë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur dhe nëse ka pasur rrezik për sigurinë gjatë kohës që Mandelson ka shërbyer në Uashington.

Ai u shpreh se, nëse do ta kishte ditur më herët për rekomandimin negativ, nuk do ta kishte bërë këtë emërim.

Opozita konservatore e konsideron rastin si një skandal serioz, duke ngritur pikëpyetje për sigurinë kombëtare dhe mënyrën si është menaxhuar informacioni brenda qeverisë.