Itali/ 110 kg k*kainë zbulohen në garazhin e shqiptarit në Sarnico, arrestohet 22-vjeçari për lëndën me vlerë 5 mln €
Një i ri shqiptar është arrestuar në Itali pasi u kap duke transportuar një sasi të madhe droge. Operacioni u zhvillua nga Guardia di Finanza në zonën e Bergamo.
Sipas autoriteteve, 22-vjeçari po lëvizte me një makinë tip “Audi”, ku u gjetën rreth 110 kilogramë kokainë e pastër.
Droga ishte e ndarë në 91 pako dhe vlera në treg arrin të paktën në 5 milionë euro.
Hetimi nisi pas sinjalizimeve për lëvizje të dyshimta në një garazh në Sarnico. Vëzhgimi i zonës çoi në identifikimin e të riut, i cili kujdesej për ambientin ku ishte fshehur droga. Makina e përdorur rezultoi e paregjistruar.
Pas arrestimit, ai u dërgua në burg në Bergamo dhe pritet të dalë para gjykatës për verifikimin e masës.
Sipas hetimeve, droga dyshohet se kishte ardhur nga Amerika e Jugut dhe ishte pjesë e një rrjeti më të gjerë që shpërndan lëndë narkotike në vende të ndryshme të Evropës, përfshirë zonat e Bergamos, Brescias dhe Milanos.

