DETAJE TË REJA/ Zbardhet emri i gruas që u v*a nga shqiptari, autori punonte si kopshtar
Një tragjedi familjare me përmasa dramatike, ende në fazë hetimesh, ka tronditur sot qendrën e vogël të Cossombrato-s, me pak më shumë se 500 banorë në kodrat e zonës së Asti-t në Itali.
Një shqiptar ka vrarë ish-bashkëshorten dhe partnerin e saj të ri, përpara se t’i jepte fund dhe jetës duke u hedhur nga kalaja e fshatit, ku punonte si kopshtar.
Viktimat janë Drita Koni dhe partneri i saj aktual, Bardhok Gega edhe ai shqiptar. Autori i dyshuar është Astrit Koni, 59 vjeç, gjithashtu shqiptar, banues në Itali prej rreth njëzet vitesh dhe i njohur në zonë me emrin Arturo. Ai konsiderohej një person i qetë dhe i integruar në komunitetin lokal, i angazhuar në mirëmbajtjen e gjelbërimit të kalasë, një strukturë historike që dominon fshatin.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes nga karabinierët, burri ka shkuar te ish-bashkëshortja dhe partneri i saj në një zonë rurale në periferi të fshatit, pranë një toke ku ndodheshin disa koshere bletësh për të cilat kujdesej çifti. I armatosur me një ronkolë, një mjet bujqësor i përdorur zakonisht në punët e fushës, ai dyshohet se i ka goditur për vdekje. Trupat janë gjetur pranë njëri-tjetrit, në një hendek, në orët e vona të paradites.
Alarmin e ka dhënë vëllai i gruas, i cili u shqetësua pasi nuk arrinte të lidhej me të. Kërkimet çuan në zbulimin e trupave dhe nisjen e menjëhershme të hetimeve.
Pas krimit të dyfishtë, Astrit Koni dyshohet se është larguar nga vendngjarja dhe është drejtuar drejt kalasë së Cossombrato-s, për të cilën kishte çelësat për shkak të punës së tij. Pasi ka mbërritur atje, ai dyshohet se është hedhur nga një lartësi e konsiderueshme, duke humbur jetën në vend. Trupi i tij është gjetur i pari nga ekipet e shpëtimit pranë ndërtesës.
Ndër pistat që po hetohen është ajo e një motivi të lidhur me marrëdhëniet personale. Sipas dëshmive të para, burri kishte tentuar disa herë të rikthente lidhjen me ish-bashkëshorten, por pa sukses.
Gruaja kishte nisur një marrëdhënie të re dhe nuk kishte shfaqur asnjë vullnet për t’u rikthyer, çka mund të ketë nxitur tensione dhe pakënaqësi që përfunduan në dhunë.
Fshati është në gjendje shoku. Në një komunitet kaq të vogël, ku të gjithë njihen, lajmi është përhapur shpejt, duke lënë pas tronditje dhe mosbesim. ‘Një gjë që nuk do ta kishim imagjinuar kurrë’, shprehen disa banorë, ende të prekur nga ngjarja.
Karabinierët e njësisë përkatëse po punojnë për të rindërtuar me saktësi dinamikën e plotë të ngjarjes, duke mbledhur dëshmi dhe analizuar çdo element të dobishëm. Zona është rrethuar për të lejuar kryerjen e ekspertizave teknike, ndërsa prokuroria e Asti-t ka hapur një dosje për rastin.
Në sfond mbetet edhe një tjetër rast i dhunës në marrëdhënie, që shpërthen papritur dhe lë pas tre jetë të humbura dhe një komunitet të plagosur.
